Zona ekonomike rajonale e Ballkanit Perendimorë

Në vazhdën e procesit të Berlinit, më 12 korrik në Triestë u mbajt Samiti i Katërt për Ballkanin , në të cilin u promovua edhe Zona Ekonomike Rajonale e Ballkanit Perëndimor dhe ky ishte shkas që këtë fundjavë analizova disa dokumente dhe statistika ekonomike për rajonin. Përfundimi im është se ka çështje që duhet nënvizuar: [1] Zona Ekonomike Rajonale e Ballkanit Perëndimor është një iniciativë e vendeve të Ballkanit Perëndimor që gëzon përkrahje të plotë të Komisionit Evropian. [2] Kjo iniciativë nuk duhet kuptuar si zëvendësim për integrimin evropian të rajonit, por ajo duhet të përshpejtojë këtë proces. [3] Qëllimi i kësaj nisme është që ta bëjë rajonin më atraktiv për investime (të huaja dhe vendore) duke paraqitur një treg prej rreth 20 milion banorë, që nënkupton edhe përshpejtim të rritjes ekonomike dhe krijim të vendeve të reja të punës. [4] Dinamika e realizimit do të varet nga vendet e rajonit, ndërsa është aprovuar Plani i veprimit që parashikon aktivitete për periudhën 2017-2020 (me disa aktivitete që do zgjasin edhe deri më 2023). [5] Zona Ekonomike Rajonale përfshinë katër dimensione: tregtinë, investimet,lëvizjen (migrimin) dhe dimensioni digjital. Në aspekt të avancimit të tregtisë së lirë të mallrave dhe shërbimeve, do të bëhet avancim i protokolleve të CEFTA-s. Në kontekst të thithjes së investimeve, do të aprovohet një agjendë e përbashkët rajonale. Do të afirmohet lëvizja e lirë e profesionistëve, studentëve, shkencëtarëve dhe akademikëve. Ndërkaq, digjitalizimi do të përfshijë roamingun, internetin, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave. [6] Bashkëpunimi rajonal do të avancohet nëpërmjet ‘Agjendës lidhëse’ të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor në modernizimin e infrastrukturës së transportit dhe energjetikës. [7] Odat ekonomike të vendeve të rajonit themeluan Sekretariatin e Përbashkët i cili duhet të ndihmojë që Zona Ekonomike Rajonale të jetë një mundësi konkrete për biznesin rajonal.

Shkruan Fatmir Besimi

Për të theksuar rëndësinë e integrimit ekonomik, si dhe për të rikujtuar gjendjen aktuale ekonomike të Ballkanit Perëndimor, në vijim po sjell disa tregues relevant ekonomik: [1] Prodhimi i brendshëm bruto për frymë arrin 35% të mesatares së BE-së dhe dinamika e konvergjencës ekonomike është ngadalësuar në vitet e pas krizës globale të viteve 2007-2009. [2] Rritja reale e PBB-së në Ballkanin Perëndimor në vitin 2016 vlerësohet rreth 2.8%, ndërsa në BE rreth 1.9%. Papunësia në njëjtin vit llogaritet mesatarisht rreth 20% në Ballkanin Perëndimor, derisa në BE është 8-9%. [3] Stabiliteti makroekonomik është ruajtur, por në vitet e paskrizës ka qenë i sfiduar nga deficiti buxhetor dhe borxhi publik të cilët shënuan rritje, gjegjësisht në nivel rajonal deficit buxhetor mesatar në vitet e paskrizës arrin deri 4% krahasuar me 1% të PBB-së në vitet e parakrizës dhe borxhi publik gjithashtu është rritur nga 35% në rreth 50% të PBB-së. [4] Vendet e rajonit janë kryesisht me aftësi të ulët konkurruese me eksport mesatar prej rreth 40% të PBB-së në tregun botëror, ndërsa nga kjo rreth 60-70% të eksporteve e realizojnë në tregun evropian dhe rreth 10% në mes veti në Ballkanin Perëndimor. Rajoni vazhdon të shënojë deficit të jashtëm (bilancin e pagesave) rreth 10-12% të PBB-së, që njëherësh edhe reflekton nivelin më të ulët të produktivitetit, krahasuar me vendet e BE-së (deficiti është edhe më i lartë nëse kemi parasysh se investimet e huaja direkte llogariten rreth 5% e PBB-së në vitin 2016). [5] Reformat strukturore shënojnë ngecje, vitet e fundit,dhe kanë për pasojë ngadalësimin e procesit të integrimeve evropiane në Ballkanin Perëndimor pas krizës globale ekonomike dhe rritjes së euroskepticizmit në disa vende të BE-së, si dhe rritjes së populizmit dhe nacionalizmit në vendet e rajonit.

Pjesë e listës së sfidave të lartpërmendura ekonomike, s’do mend se janë edhe ato politiket dhe gjeostrategjiket: [1] Ruajtja e sigurisë dhe paqes në rajon; [2] Demokratizimi i shoqërisë dhe ruajtja e stabilitetit politik; [3] Pajtimi ndëretnik dhe respekt i diversitetit kulturor; [4] Zgjidhja e kontesteve të hapura ndërfqinjësore; dhe [5] Integrimi euro-atlantikdhe zhvillimet globale gjeostrategjike (rikthimi i interesimit të Lindjes për rajonin).

Duke patur parasysh sfidat e lartëpërmendura, Zona Ekonomike Rajonale dhe integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor duhet të sigurojë përafrim të standardit dhe cilësisë së jetës me atë të vendeve të BE-së. Shikuar në aspekt makroekonomik, kjo do të arrihet me: [1] rritje më të shpejtë ekonomike dhe gjithëpërfshirëse; [2] ngritje të aftësisë konkurruese të ekonomisë rajonale; [3] rritje së investimeve vendore dhe të huaja direkte; dhe [4] përmirësim të bilancit të jashtëm, gjegjësisht zvogëlimi të deficitit tregtar dhe të bilancit të pagesave.

Nga sa thamë më sipër, rezulton se suksesi i integrimit të shumëdëshiruar ekonomik do të varet drejtpërdrejtë nga: [1] Vullneti politik dhe përkushtimi i vendeve të rajonit. (Duhet të jetë variant fitues për të gjithë – ‘win-win’ dhe duhet te ekzistojë solidaritet i ndërsjellë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.) [2] Përkrahja politike dhe financiare e Bashkimit Evropian. (Në këtë mënyrë do të rritet edhe interesi i bashkëpunimit rajonal.) [3] Progresi në integrimet euro-atlantike. (Kjo do të rrisë kredibilitetin e iniciativave integruese rajonale).

Si përfundim, do të shtoja atë që përsërisim vazhdimisht: perspektiva euro-atlantike dhe bashkëpunimi rajonal, janë garanci e paqes, prosperitetit dhe mirëqenies në Ballkanin Perëndimor. Kujtoj se në emër të kësaj të gjitha vendet dhe kombet e rajonit duhet të japin mundin e tyre, jo me fjalë, por me përkushtim konkret!

[Publikuar në KOHA, 25.07.2017]

You might also like More from author