Zaev dhe Ahmeti “gatuajnë” bashkëpunim për Shkupin, Kërçovën, Tetovën, Çairin e Kumanovën

Shkupi, Kumanova, Tetova, Çairi, Buteli, Kërçova, janë vetëm disa nga komunat për të cilat Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti, po finalizojnë bisedimet për veprim të përbashkët në rrethin e parë të zgjedhjeve më 15 tetor, konfirmon për Post.mk, një funksionar i lartë i BDI-së.

Zv/kryeministri Bujar Osmani, nga ana tjetër zyrtarisht konfirmoi se me LSDM-në bisedojnë për bashkëpunim në më shumë komuna, por përveç në Çair, nuk ka shpalosur më shumë detaje.

“Bisedimet që në disa komuna të shkohet me një kandidat, do t’i finalizojnë sot dhe nesër shefat e Shtabeve zgjedhore. Bisedohet për mbështetje reciproke mes BDI-së dhe LSDM-së për Shkup, Çair, Tetovë, Kumanovë, Butel…Shpresoj se do të merremi vesh”, ka thënë funksionari i lartë i BDI-së.

Nëse arrihet marrëveshje mes partnerëve të koalicionit për bashkëpunim në nivel lokal kjo nënkupton se BDI do të duhet ta mbështes kandidatin e LSDM-së për Kumanovë, ndërsa BDI pret që LSDM-ja të mos nxjerrë kandidatin të vetin në Çair dhe që në rrethin e parë të mbështesin Visar Ganiun e BDI-së.

Bisedohet që BDI të përkrahë madje kandidaturën e Petre Shilegovit në Shkup, ndërsa bisedime zhvillohen edhe për mbështetjen eventuale të LSDM-së për Fatmir Deharin në Kërçovë, ku pas kandidaturës së tij veçmë është përcaktuar edhe Aleanca për shqiptarët e Ziadin Selës.

Ndërkohë, sa i takon Strugës, nuk pritet ndonjë bashkëpunim mes BDI-së e LSDM-së pasi atje partneri maqedonas me siguri në rrethin e dytë do ta përkrahë partnerin e dytë të koalicionit, apo kandidaturën e Selës të ASH-së, njofton Post.mk.

You might also like More from author