UNICEF : Fëmijët refugjatë rrezikohen nga dhuna

Fondi Emergjent i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka paralajmëruar se fëmijët në mesin e refugjatëve që përpiqen të arrijnë në Evropë përmes Libisë dhe Detit Mesdhe duke ikur nga rajonet e krizave në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, në masë të madhe dhe mënyrë sistematike janë rrezikuar nga dhuna dhe abuzimi seksual.

Në raportin e UNICEF-it me titull “Udhëtimi vdekjeprurës për fëmijët”, është dokumentuar dhuna, abuzimi seksual dhe robërimi me të cilat shumë fëmijë refugjatë janë rrezikuar gjatë udhëtimit drejt shpresës.

Në raport thuhet se vitin e kaluar afro 28 fëmijë, një pjesë e madhe pa prindër, kanë arritur në Evropë përmes Mesdheut, të cilët, sipas raportit, në stacione të ndryshme gjatë udhëtimit të tyre kanë qenë të rrezikuar nga trafikimi me njerëz dhe abuzimi nga nëpunës zyrtarë, teksa shumë raste nuk janë denoncuar para autoriteteve të drejtësisë për shkak të frikës nga ndalimi apo deportimi.

“Pothuajse gjysma e grave dhe fëmijëve me të cilët është zhvilluar intervistë, gjatë migrimit të tyre kanë qenë viktima të abuzimit seksual, ndërsa është kuptuar se shumica e rasteve kanë ndodhur më shumë se një herë dhe në më shumë se një vend”, thuhet në raport.

Raporti më tej tërheq vëmendjen se sulmet seksuale më së shpeshti janë kryer në kalimet kufitare dhe pikat e kontrollit dhe se shumica e autorëve të këtyre veprave kanë qenë zyrtarë më uniforma, gjë e cila, sipas raportit, ka qenë arsyeja se pse rastet nuk janë denoncuar para organeve të drejtësisë.

Paralajmërimi për Libinë

Sipas raportit, raste të shumta janë vërejtur edhe në Libi, vend aktualisht i destabilizuar, të cilin refugjatët e zgjedhin si pikë kalimi për shkak të afërsisë me Italinë. Afërsisht një e treta e refugjatëve të intervistuar, thuhet në raport, kanë qenë shënjestër e sulmeve seksuale në Libi.

Po ashtu, raporti vë në dukje se në Libi ndodhen 34 qendra pranimi ku mbahen refugjatët, për të cilat raporti thekson se kanë kushte shumë të keqija të ushqimit dhe shëndetësisë.

Në raport thuhet se pjesa më e madhe e këtyre qendrave janë nën kontrollin e Ministrisë për Luftimin e Migrimit Ilegal, ndërkohë që ekzistojnë edhe qendra që kontrollohen nga grupe milicësh të armatosur, në të cilat qasja nuk është e hapur dhe kjo gjendje, siç thuhet në raport, shkakton shqetësime të mëdha.

Duke tërhequr vëmendjen për kurthet në të cilat bien refugjatët gjatë udhëtimit drejt një jete më të mirë, raporti ka konstatuar se “Libia është bërë rruga kryesore e trafikimit seksual drejt Evropës”.

Në raport më tutje është potencuar se jostabiliteti politik në Libi ka ardhur në një gjendje ende më të pazgjidhshme.

UNICEF u ka bërë thirrje shteteve fqinje të Libisë të marrin më shumë masa për mbrojtjen e fëmijëve. Në raport është theksuar nevoja për krijimin e mekanizmave ligjorë për parandalimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e fëmijëve nga luftimet e armatosura dhe një iniciativë për ruajtjen e regjistrave të lindjes dhe ribashkimin e familjeve të shpërndara.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, numri i refugjatëve që ishin në Libi vitin e kaluar kaloi mbi 250 mijë. Prej këtyre, afërsisht 180 mijë i janë qasur rrugës së vështirë në Mesdhe dhe kanë arritur në Itali.

You might also like More from author