Me sytë e Gabriel

Nuk është faji as i Gabriel e as i Merkel, që kur Shqipëria sheh veten në pasqyrë i ngjan se është e shtrirë gjeografikisht, ekonomikisht e gjeopolitikisht në gjysmën e planetit.

Nga Sonila Meço

Por do duhet të pranojmë, për hir të analizës, se sot Shqipëria është pjesë e një dinamike të re gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor, që sheh Europën si fuçi baruti e gadishullin si fitil, e jo e kundërta. Dhe se çfarë ministri i jashtëm deklaron në Shqipëri, i shërben interesave të politikës së jashtme gjermane në rajonin që dëshmon një lloj dështimi të vetë Bashkimit Europian.

Europa pati një detyrë madhore, të orientonte vendet e Ballkanit Perëndimor drejt ndërtimit të demokracisë, shteteve funksionalë, kushte të domosdoshme për të shmangur luftërat që konsumuan rajonin deri në fund të shekullit të 20-të. Përtej situatës së vështirë në Maqedoni, ku me zhvillimin e zgjedhjeve atje, nuk erdhi fundi i krizës siç pritej, përkundrazi, nisi një fazë e re, më e rrezikshme, që mund të shpërndahet përtej kufijve të saj, asaj në Bosnjë Hercegovinë, me kërcënimin e një referendumi për pavarësi të Republika Srpska, asaj në Kosovë ku ka ngrirë marrëveshja e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, ku vijojnë provokimet ndëretnike, e ku shtohen konfliktet e brendshme politike, gjendet një pamundësi reale e ndërmjetësimit ndërkombëtar, duke çuar në një dështim të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor.

Me zell pritëm vizitën e ministrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, për të na treguar çfarë nuk funksionon në vendin tonë, kush e ka përgjegjësinë, kush duhet të tërheqë e kush të lëshojë. Paranojakë në këtë pritshmëri, e cituam herë si “bombë” e herë si “shashkë” deklaratën e tij, a thua se, në sytë e ministrit të Jashtëm, ne shohim edhe veten, edhe botën, edhe “gomarin e humbur”. Gabriel foli qartaz e prerë, si pjesëtar i qeverisë së koalicionit të madh të Merkel, si një njeri i rëndësishëm i SPD-së që, tashmë, ka nisur fushatën elektorale; si një politikan që ka edhe pritshmëritë e veta në raport me ideologjinë e partisë që përfaqëson dhe angazhimit personal në një moment kritik për vendin e tij.

Ai foli edhe si krahu i djathtë i Schulz, i nominuari socialdemokrat përballë Merkel që i detyrohet Brukselit ngjitjen e tij në politikë. 6 muaj larg zgjedhjeve, SPD-ja po ushtron presion ndaj Merkel në çështjen ku ajo është ndjerë më vulnerabël: Bashkimin Europian. Nuk gjen dot një qeveri të përgjegjshme në rajon. Europa e di mirë se prej vitesh, ka hedhur para, në forma nga më të ndryshmet, duke marrë mbrapsht premtimin për reforma të mëdha. Tash që edhe procesi i Berlinit nuk ka shënuar hapa domethënës në performancën e qeverisjes së këtyre vendeve, Europa nuk mund të tolerojë në Shqipëri, hedhjen e milionave në dështimin e një reforme që, sipas saj, duhet t’i shërbejë shtetit të së drejtës, ndëshkueshmërisë, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndaj Gabriel u mor me normalizimin e jetës demokratike në Shqipëri, sepse rendja drejt stabilitetit, politika e deritashme e BE-së në Ballkan prodhoi nga kanabisi tek autokracia e qeverisjes, nga korrupsioni tek pabarazia. Nuk ka nevojë t’i thotë, sepse ai është, më së pari, dështim i vetë i Europës e vështirë se një gjerman, aq më tepër në fushatë, do ta pranonte në turin e tij. E aq më tepër kur Shqipëria nuk mund të jetë prioritet i politikës së jashtme gjermane.

Gjermania gjendet në një realitet ku Rusia ridimensionon rolin e saj në krizat botërore, Turqia ndërmori ndryshimin drastik të Kushtetutës, Britania largohet nga BE e shtrin shikimin në Atlantik, Shtetet e Bashkuara nuk perceptohen më si burim stabiliteti, e përballë me një kandidate për presidente në Francë që paralajmëron daljen nga NATO dhe BE. Gjermania po kërkon sot, më shumë se kurrë, të shpëtojë BE-në dhe në këtë panoramë Ballkani Perëndimor, shihet si i tërë, aty ku status quo-ja nuk mban më dhe mund të sjellë rreziqe të pamenaxhueshme.

Sa për problemet tona, të Shqipërisë sonë të vogël hallemadhe, do t’i zgjidhim vetë. Shembullin e kemi, Rumaninë. Aty ndërgjegjësimi për demokracinë në vend bashkoi popullin, shoqërinë civile, njerëz të angazhuar, media të pavarura. Ndaj, kush priste nga ministri i Jashtëm gjerman të fliste për qeveri teknike, shtyrje zgjedhjesh, apo vijim bojkoti si mjet për zgjidhjen e krizës sonë politike, të shpëtimit të zgjedhjeve nga ndikimi i parasë së kanabisit dhe krimit të organizuar, kapjes së shtetit, do të duhet të përllogarisë të gjithë dinamikat e mësipërme. Në fund të fundit, politika ndërkombëtare, si çdo politikë, është luftë për pushtet. E Shqipërinë e vizitoi një njeri me pushtet, pushtet që përgjigjet në radhë të parë për gjermanët e taksapaguesit europianë.

You might also like More from author