Rreth 500 punëtorë në Komunën e Bogovinës dy muaj pa rroga (Video)

500 punëtorë që gravitojnë në Komunë të Bogovinës, shumica e të cilëve arsimtarë, ka më shumë se dy muaj që nuk kanë marrë rroga. Që kur Hazbi Idrizi ndërroi jetë, Komuna e Bogovinës ka mbetur pa kryetarë, por tani edhe pa ushtrues detyre, i cili ligjërisht është organi i vetëm që mund të nënshkruaj lëshimin e rrogave të punëtorëve. Dy kandidatët të cilët pretendojnë të zënë vendin e të parit të Komunës së Bogovinës, Hasan Sejfullai dhe Kurtali Kurtishi, me të cilët TV21 nuk arriti sot të bie në kontakt, në votim kanë mbështetjen e barabartë, andaj edhe është bllokuar procesi i zgjedhjes së ushtruesit të detyrës.

Bibliotekisti Nebi Ademi tregon për vështirësitë që hasën në mungesë të rrogës, që sipas tij, është burimi i vetëm i shumicës së kolegëve të tij.

“Tash me këtë situatë që na u është krijuar në komunën tonë, me të vërtetë kemi vështirësi në organizimi e jetës normale. Të gjithë jemi me familje, shumica prej neve rrogën e vetmi të vetmen të ardhur. Mund të them lirisht që kemi një kaos në organizimin normal të jetës”, tha Nebi Ademi, Bibliotekist pa rrogë në Komunë të Bogovinës.

Këshilltari i pavarur komunal Bujar Misimi shpjegon edhe më detalisht problemin. Sipas tij, e gjithë kjo mund të merr fund vetëm me kompromis mes dy palëve që pretendojnë karrigen e të parit të Komunës. Ndërsa për bllokimin e këtij procesi, fajëson politikën!

“Inatet të cilët janë paraqitur në këshillin e Komunës së Bogovinës, janë si pasojë e mendimeve të ndryshme të subjekteve të caktuara, megjithatë duhet të bëhet zgjedhje urgjente. Ne si këshilltarë të disa subjekteve, edhe unë, kemi nënshkruar dhe kemi bërë një kërkesë deri tek kryesuesi i këshillit komunal, që urgjentisht të thirret një seancë dhe të gjejmë një epilog përfundimtarë rreth kësaj problematike”, tha Bujar Misimi, Këshilltarë komunal i pavarur në Bogovinë.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Bogovinës në pamundësi për të na takuar, përmes një mesazhi tha se pret që së shpejti të zgjidhet problemi.

“Kemi një situatë të rende ku mbi 500 punëtorë të arsimit dhe administrata të Komunës janë mbi një muaj pa roga. Jemi në bisedime me partitë tjera që t’i japim një zgjidhje. Mendoj se së shpejti do ketë zgjidhje”, tha Safet Imeri, Kryetar i Këshillit të Komunës së Bogovinës.

Sindikata rajonale e arsimit sot ka zhvilluar një takim me drejtorët e shkollave, arsimtarët dhe këshilltarë. Nga ky takim nuk pati rezultate konkrete, por TV21 mëson nga burimet se brenda 24 orëve të ardhshme do të zhvillohet edhe një takim i po të njëjtit nivel, nga ku pritet që të vendoset përfundimisht për të ardhmen e 500 punëtorëve pa rroga të Komunës së Bogovinës. Sindikata rajonale thotë se në mungesë të një zgjidhje konkrete të problemit, këtë të enjte më 6 korrik, do të shprehin pakënaqësinë e tyre në formë proteste.

Të dy kandidatët për ushtrues detyre Hasan Sejfullai dhe Kurtali Kurtishi, janë më mandat të BDI-së.

 

You might also like More from author