Ronaldo, 5 javë skualifikim. Reali do të apelojë kartonin për simulim

Reali i Madridit shpërfytyroi Barcelonën në “Camp Nou” dhe hodhi një hap të sigurtë drejt fitimit të Superkupës së Spanjës, por polemikat pas “El Clasico”-s nuk u shuan as këtë herë.

Në qendër të vëmendjes është vënë Cristiano Ronaldo. Kartoni i kuq i marrë dje do t’i kushtojë 5 ndeshje skualifikim yllit portugez, i cili është dënuar nga gjykatësi sportiv me një javë për shkak ndëshkimi, si dhe me 4 javë të tjerë për shtyrjen që i bëri gjyqtarit De Burgos Bengoechea.

Kjo do të thotë se Realit i duhet të privohet nga shërbimet e lojtarit më të mirë në gjirin e saj në ndeshjen e kthimit të Superkupës, me Barçën këtë herë në “Bernabeu”, si dhe në 4 javët e para të La Ligës, konkretisht ndaj Deportivos, Valencias, Levantes dhe Real Sociedadit.

I ndëshkuar fillimisht me karton të verdhë për shkak se hoqi fanellën pas shënimit të golit, pak minuta më vonë “CR7” mori edhe kartonin e dytë të verdhë për një simulim. Por gjatë protestës së tij, Ronaldo ka shtyrë arbitrit Burgos Bengoetxea, siç shkruhet në shënimet e gjyqtarit të ndeshjes.

Sipas nenit 96 të rregullores së Federatës spanjolle të Futbollit, portugezi rrezikonte nga 4 deri në 12 javë pezullim, por nuk ka marrë më shumë sesa sanksioni minimal.

Megjithatë, Reali i Madridit – siç shkruajnë mediet spanjolle, – do të apelojë vendimin për kartonin e dytë të verdhë, atë për simulim. Nëse do të fitojë në këtë apel, Ronaldo do të mund të luajë në ndeshjen e kthimit të Superkupës, të mërkurën në “Bernabeu”, e më pas të vuajë 4 javët e skualifikimit për shtyrjen e arbitrit në La Liga.

Ndërkohë, Madridi është i irrituar edhe për atë që ndodhi në “Camp Nou”, përfshi penalltinë e dhënë Barcelonës për një kontakt inekzistent mes Navas dhe Suarezit. “Këto gjëra përsëriten sa herë që luajmë, – ishin fjalët e një drejtuesi të lartë të klubit për “Marca”-n. – Por ajo që ndodhi mbrëmjen e djeshme nuk ka të krahasuar, i ka kaluar të gjitha precedentët e mëparshëm”.

You might also like More from author