Nitaj: Vllahiu është kandidat i mundshëm i AAK-së për Prishtinën

Informacioni i publikuar më herët  se Arbër Vllahiu mund të jetë kandidat i AAK-së për kryetar të Prishtinës, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i partisë, Muharrem Nitaj.

Nitaj ka bërë të ditur se vendimin final për këtë çështje e merr Këshilli drejtues, por që emër i mundshëm është Arbër Vllahiu.

“Arbër Vllahiu është njëri prej kandidatëve të mundshëm nga AAK për Prishtinën. Ende nuk kemi vendim përfundimtar por shpejt do të ketë një vendim nga Këshilli Drejtues.”, ka thënë zëdhënësi i AAK-së për lajmi.net

Vllahiu më herët ka qenë këshilltar i ish-presidentes, Atifete Jahjaga, kurse për shumë kohë ka ushtruar edhe profesionin e gazetarit.

Nga Lëvizja Vetëvendosje deri më tani është zyrtarizuar kandidatura e Shpend Ahmetit për kryeqytetin, kurse nga PDK emër i mundshëm është Lirak Çelaj.

Zgjedhjet lokale mbahen më 22 tetor.

You might also like More from author