Mogherini shuan shpresat për integrimin e vendeve të Ballkanit në BE të paktën për dy vitet e ardhshme

Në një intervistë për televizionin slloven RTV përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikat e jashtme Federika Mogerini, deklaroi se të paktën për dy vitet e ardhshme asnjë vend i Ballkanit perëndimor nuk do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Diplomatja e BE-së Federica Mogerini shtoi se vendet e Ballkanit që synojnë anëtarësimin janë ende në fillim të reformave. Gjithsesi nga ana tjetër Mogerini theksoi se procesi i zgjerimit në BE nuk është ndalur. Por ajo ka përmendur dhe deklaratën e Zhan Klod Juner disa kohë më parë ku kishte thënë qartë se BE nuk do të kishte anëtarë të rinj, dhe se ky ishte realiteti.

Sipas saj asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ishte gati për t’u bërë pjesë e BE-së para tre vjetësh. Por Mogerini shtoi se që procesi i anëtarësimit të funksionojë duhen reforma ekonomike, gjyqësore dhe institucionale, si dhe bashkëpunim me fqinjët, duke kujtuar se pikërisht në Ballkan u bëmë dëshmitarë të luftës së fundit në Evropë 20 vjet më parë.

Ajo këmbënguli se synimi i saj personal është që në përfundimin e mandatit të Komisionit të BE-së, kemi edhe dy vjet, të gjashtë partnerët në Ballkanin Perëndimor të jenë në një pikë të tillë në procesin e integrimit në BE që procesi të jetë i pakthyeshëm.

You might also like More from author