Kryeparlamentari Xhaferi: Qëllimi i këtij dokumenti është promovimi i shoqërisë paqësore dhe harmonike

 

Sot përmbushen 16 (gjashtëmbëdhjetë) vite prej datës kur është nënshkruar Marrëveshja kornizë e Ohrit e cila ishte marrëveshje me të cilën iu dha fund konfliktit të brendshëm në Republikën e Maqedonisë. Ky dokument i rëndësishëm i paqes në shtetin tonë dhe i pajtimit mes qytetarëve tanë u përpilua dhe u nënshkrua me vullnetin politik dhe me lehtësimin nga miqtë tanë ndërkombëtarë. Me këtë rast dua ta falënderoj bashkësinë ndërkombëtare për përkrahjen që akoma në mënyrë të pashtershme vazhdon t’ia japë shtetit tonë. Qëllimi i këtij dokumenti të paqes ishte dhe akoma është promovimi i shoqërisë paqësore dhe harmonike, si edhe zhvillimi i një shoqërie qytetare ku respektimi i identitetit etnik dhe mbrojtja e interesave të të gjithë qytetarëve do të jenë primare. Ky dokument, siç e ka edhe vetë emrin, ishte vetëm një bazë, kornizë mbi të cilën u bënë ndryshimet kushtetuese dhe reformat ligjore të cilat zbatimin e vet e gjejnë në fushën e decentralizimit, përfaqësimit të drejtë, procedurave votuese të veçanta parlamentare me të cilat mbrohen etnitë që nuk janë shumicë nga mbivotimi, në fushën e arsimimit, përdorimin e gjuhës, simboleve, shprehjen e identitetit kulturor dhe etnik si edhe masat për zbatimin e këtyre ndryshimeve. 

Me kalimin e viteve, me përkrahjen e Qeverisë, të Parlamentit, janë bërë një sërë ndryshimesh në këtë drejtim. Gjatë kësaj periudhe, jo çdoherë çdo gjë ka rrjedhur lehtë dhe pa pengesa, Jo çdoherë kemi hasur në mirëkuptim, qoftë nga njëra palë, qoftë nga pala tjetër por, është vazhduar dhe do të vazhdohet për arsye se Maqedonia alternativë tjetër nuk ka. Marrëveshja e Ohrit dhe parimet e saj janë mënyra e vetme me të cilën në shtetit tonë do të zhvillohet dhe do të avancohet demokracia, do të respektohet karakteri multietnik dhe të gjithë qytetarët tanë do i gëzojnë të gjitha të drejtat në mënyrë të barabartë. Që kjo të jetë kështu, nevojiten politikanë vizionarë, me përgjegjësi të madhe dhe vullnet të fortë politik. Politikanë që i bashkojnë e jo që i përçajnë bashkëqytetarët e vet. Është vështirë por detyra jonë është që të punojmë dhe ta meritojmë besimin që na e kanë dhënë qytetarët. Dhe besoni se ia vlen, ia vlen për gjeneratat e sotme, ia vlen për gjeneratat e ardhshme dhe për ato pas tyre.

You might also like More from author