Juncker: Nëse Duam Paqe Në Ballkan, Duhet Të Mbajmë Perspektivë Të Besueshme Zgjerimi…

Nëse duam paqe në fqinjësi, duhet të mbajmë perspektivë të besueshme të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kështu u shpreh Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, në fjalimin e mbajtur në Parlamentin Evropian në Strasburg.

Gjithsesi ai ripërsëriti se nuk do të ketë zgjerim deri në fund të mandatit të tij, sepse asnjë nga vendet kandidatë nuk do të jetë i gatshëm për anëtarësim.
Por, shtoi se në vitet pas këtij mandati, Bashkimi Evropian do të ketë më shumë se 27 anëtarë, sa ka aktualisht.
Juncker rikujtoj se shtetet kandidate duhet t’i përmbushin kriteret, sidomos ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.
Kjo, sipas tij, do të thotë se Turqia, nuk mund të bëhet anëtare e BE-së në një të ardhme të afërt, sepse nuk respekton vlerat e lirisë dhe sundimin e ligjit.
Ai ftoi Turqinë që t’i lirojë të gjithë gazetarët evropian që mban në arrest, por edhe të gjithë gazetarët tjerë. Po ashtu Juncker, ka ftuar Turqinë që t’i ndërpresë akuzat për fashizëm ndaj shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Presidenti i Komisionit Evropian, duke folur për largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja tha se ky shtet do të pendohet për një veprim të tillë. Ai tha se pranvera e vitit 2019, kur Britania do të duhej të largohet nga BE-ja, do të jetë një datë tragjike. Por, shtoi se Evropa e 27 vendeve anëtare, do ta shfrytëzojë këtë rast për të ndërtuar një të ardhme të qartë të Bashkimit Evropian.
Juncker bëri ftesë për më shumë solidaritet rreth migrimit dhe ftoi që të gjithë ata, të cilët nuk i përmbushin kushtet për strehim në BE të kthehen në vendet e tyre.

You might also like More from author