Intervistë Bilall Sherifi nga NISMA: Nuk do ketë ndarje etnike në Kosovë

Bilall Sherifi nga partia NISMA për Kosovën, në një intervistë ekskluzive ka shpjeguar pikëpamjet e kësaj partie për gjendjen aktuale të politikës në Kosovë, zgjedhjet, koalicionin me AAK-në. Nga ana tjetër ai ka vlerësuar gjendjen aktuale të Preshevës, Medvegjës, Bujanocit dhe situatës politike të shqiptarëve në Maqedoni dhe në Ballkan në përgjithësi. Poashtu ai flet për veriun e Kosovës dhe situaten në Mitrovicë.

Të gjitha këto mund t’i mësoni nga intervista dhënë për mediumin tonë:

GazetaMax.com: Na thoni, se si e shihni gjendjen aktuale në Kosovë?
Bilall Sherifi: Kosova ka kaluar nëpër një periudhë shumë të vështirë këto tri vitet e fundit. Koalicioni qeverisës i dy partive më të mëdha në vend PDK-LDK plus Lista Serbe krijoi një situatë pothuajse të pa shpresë, ku si rezultat i së cilës dhjetëra mijëra qytetarë u larguan nga Kosova. Arroganca e këtij koalicioni shkoi aq larg saqë mendonin se mund të bëjnë çka do që ata duan me vendin. Kështu që nënshkruan dy marrëveshje shumë të dëmshme për Kosovën, njërën me Malin e Zi për shënimin e vijës kufitare nga e cila Kosova humbte mbi 8000 hektar territor dhe tjetrën me Serbinë për të ashtu quajturën Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe përmes së cilës bëhej ndarja e brendshme e Kosovës në vija etnike. Këtë marrëveshje Gjykata Kushtetuese e shpalli në plot 23 nene të saj në kundërshtim me Kushtetutën. Ndërsa marrëveshjen me Malin e Zi përkundër numrave të shumtë koalicioni nuk arriti ta ratifikojë. Tani, pas kalimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë të iniciuar nga Nisma për Kosovën përmes së cilës u rrëzua qeveria, Kosova më 11 qershor do t’i organizojë zgjedhjet parlamentare. Pra, pas tërë këtyre zhvillimeve, shpesh herë me tone dramatike, fati i vendit është sërish në duar të sovranit!

gazetamax.com:  Mocioni i iniciuar nga partia juaj NISMA kaloi tashmë, çka vlerësoni se është problem kryesorë që Qeveritë në Kosovë nuk po mund ta kryejnë mandatin deri në fund?

Biall Sherifi: Arsyet nuk kanë qenë të njëjtat në të gjitha legjislaturat. Prandaj, nuk do të ndalem në historitë e të tri legjislaturave të pas shpalljes së pavarësisë. Ndërsa arsyet e shkurtimit të jetës së kësaj qeverie i sqarova në pyetjen e parë.
gazetamax.com: Koalicioni parazgjedhor mes jush dhe AAK-së tashmë është publik, si lindi ky koalicion?

Bilall Sherifi: Koalicioni AAK-NISMA është krijuar menjëherë pas dështimit të ndërtimit të një koalicioni mes neve dy partive dhe Vetëvendosjes. Prandaj, parimet e vendosura vlejnë për të dyja partitë tona. Pra, vlen për koalicionin si tërësi.

gazetamax.com:  A është duke ndodhë ndarja e Kosovës në veri?
Bilall Sherifi: Veriu formalisht vazhdon të jetë pjesë e integritetit territorial të Kosovës, mirëpo fatkeqësisht në atë pjesë të Kosovës Serbia përmes strukturave të saj vazhdon të jetë aktive në atë pjesë të territorit të Kosovës.

gazetamax.com: Si e vlerësoni gjendjen e shqiptarëve në Ballkan?
Biall Sherifi: Gjendja e shqiptarëve në Ballkan është më e mirë se kurdo herë gjatë historisë mirëpo mendoj se kemi mundur të jemi edhe më mirë. Kemi mundur të bëjmë më shumë, së pari në rrafshin e integrimeve kombëtare, në sferën e zhvillimit të demokracisë, zhvillimit ekonomik, luftës kundër krimit dhe korrupsionit etj. Po t’i bënim kishim bërë më shumë në këto tema, padyshim se do të ishim shumë më afër edhe në procesin e integrimeve evropiane!

gazetamax.com: A mendoni se Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, janë një nyje e pazgjidhur?
Bilall Sherifi: Jo nuk mendoj. Konsideroj se këto komuna shqiptare është dashur të përfshihen në bisedimet me Serbinë. Në të ardhmen duhet të zbatohet parimi i reciprocitetit me Serbinë. Çdo gjë që Kosova u jep komunave me shumicë serbe, me automatizëm këto të drejta duhet t’ju jepen këtyre tri komunave shqiptare.

gazetamax.com: Si e vlerësoni gjendjen politike në Maqedoni, dhe si e shihni pozitën e shqiptarëve në këtë shtet?

Bilall Sherifi: Gjendja politike në Maqedoni në përgjithësi është e rëndë pa dyshim. Arsyet besoj juve që jetoni aty ju janë të njohura. Atje pothuajse një dekadë e pushtetit të VMRO-së shumë procese, sidomos ato të integrimeve euro-atlantike kanë ngecur shumë. Ndërsa, paradoksalisht por në këtë gjendje të shtetit pa shtet, shqiptarët mund të përfitojnë nga kjo gjendje dhe të realizojnë shumë të drejta të cilat iu kanë mohuar gjatë sundimit të klikës së Gruevskit. Ky moment nuk duhet të lëshohet. Platforma e partive politike shqiptare është një mundësi e mirë!

gazetamax.com: Si e shihni pozitën e shqiptarëve në Ballkan pas disa viteve, dhe si do veprohet me mërgimtarët?
Bilall Sherifi: Se ku dhe si do të jetë pozita e shqiptarëve në Ballkan pas 10 viteve varret kryekëput nga ajo çka bëjmë sot. Varret shumë nga niveli i bashkëpunimit të shqiptarëve në Ballkan. Sidomos do të varret se si dhe çfarë ndryshimesh do të pësojë gjeopolitika rajonale dhe evropiane! Ndërsa mërgimtarët nuk duhet të shihet vetëm si burim i dërgesave financiare për të mbajtur familjet e tyre por edhe si një mundësi për investime në shumë sfera të ekonomisë në vendet tona.

You might also like More from author