A e vjodhi vërtetë mbreti Zog floririn shqiptarë? Çfarë tregojnë dokumentet

Regjimi komunist u shqua për shumë gjëra të mbrapshta në Shqipëri. Një ndër fushatat më mizore që ky regjim ndërmori ishte fushata e mbledhjes së arit, grabitja e tyre dhe më pas pushkatimi i më të pasurve. Por ajo që të habit është fakti se për 50 vjet u vesh me petkun e hajdutit të madh shqiptar mbreti Zog. Po a i vodhi vërtet mbreti Zog arin shqiptarëve?

Sipas gazetarit të njohur Katriot Dervishi në një dosier të plotë për çështjen e arit shqiptar thuhet se mbreti Zog u diktua nga rrethanat ndërkombëtare dhe me vendim të parlamentit shqiptar të lërë Shqipërinë të nesërmen e 7 prillit 1939. Për kohën që flitet thesari i shtetit shqiptar nuk ndodhej në Tiranë por në Romë.

Sipas dokumenteve dhe të dhënave që jep Josephine Dedet në librin e saj “Geraldina, mbretëresha e shqiptarëve” thuhet se Zogu mori me vete vetëm rrogat e ushtrisë. Sipas të dhënave që disponon Arkivi i Shtetit, ministri i Financave Kolë Thaçi tërhoqi sipas të gjitha rregullave shtetërore me autorizimet 2031/65 dhe 2031/79 (të datave 31 mars dhe 3 prill 1939), shumën e 448.535 frangave ari, të cilat ishin në llogari të Mbretit Zog. Në lidhje me këtë drejtori i thesarit Kel Naraçi në relacionin 73/1 të datës 6 qershor 1939, thotë:“I nënshkruemi Kel Naraçi dhe arkëtari i përgjithshëm Ramadan Berberolli pritshin në zyrë sipas telefonatës të ish kryeministrit (Kostaq Kotta). Pas pak arriti në bankë një automobil i pallatit i shoqnuem nga dy ushtarë e një toger i gardës i quajtur Selim Gjoci, i cili …….ftoi të nënshkruemin (K.N) dhe arkëtarin e përgjithshëm që ta shoqëronin tek Mbreti Zog me të gjithë gjendjen e monedhave të arit që u nxorrën nga arka nën vrojtimin e togerit Selim Gjoci, i cili fut në strajca sasinë e tregueme më sipër (448.535 franga ari), e cila sipas thënieve të ish ministrit Kolë Thaçi do të merrej në dorëzim me proces – verbal të nënshkruem prej pjestarëve të Këshillit Ministror që ishte mbledhur në shtëpinë e z.Kostaq Kotta, ku gjetëm Mbretin Zog, midis ministrave Musa Juka, Ekrem Libohova, Faik Shatku dhe Abdurrahman Matit, Xhaferr Ypit, Sotir Martinit, Allaman Çupit, Ndoc Kurti, Jani Dallamanga, Milto Noçka etj…….

Në prani të tyne i lëshuem për anë ku kishte ndenjë Mbreti Zog të 13 strajcat që mbajshin monedhat e arit në llojet e sasitë e tregueme në konfirmacionet bashkangjintur…………

Në shtëpi ndëgjoheshin telefonime, urdhna, nervozitet e qëndrime luftarake në një rrëmujë e tension të papërshkuem……..Ndërkohë meqë aeroplanët po fluturonin përsipër, Mbreti Zog me pjestarët e Këshillit që kish për anë, shkoi te shtëpia e vëllait të vet Xhelalit, ngutësisht tue marrë me vete dhe arin që ish në saketa në anë të tij. Në këtë rast arkëtarit Ramadan Berberolli iu tha të shkonte përsëri në zyrë i shoqnuem prej togerit Selim Gjoci për t`i dhënë edhe ç`ndodhje tjetër në arkë si monedha, banknota, ar, etj, në dorëzim te Mbreti Zog dhe për t`i çuar në shtëpinë e Xhelalit. Z.Ramadan Berberolli dorëzoi në shtëpinë e zotit Xhelal Zogu 118.195 franga ari dhe qëndroi deri në orën 16.00 në shtëpinë e zotni Xhelalit për me mujtë me marrë ndonjë dëftesë nga Mbreti Zog për të gjithë sasinë e arit e të monedhave që arrijshin 566.975 franga ari. Vetëm pas numërimit e në ikje e sipër, pas shumë përpjekjesh, iu mor major Allaman Çupit, adjutant favorit i Mbretit, që të nënshkruante për të, një dëftesë (dorëmarrje) si kopja bashkëngjitur”.

Në tërësi duhet thënë se Mbreti Zog tërhoqi nga arka e shtetit shqiptar në prani dhe me miratim të Këshillit të Ministrave, shumën e përafërt të 567 mijë frangave ar që përbënin 183 kilogram ar. Duhet kujtuar se rroga vjetore e Mbretit Zog ishte 500 mijë franga ari. Po ashtu duhet të kemi parasysh se në favor të tij shkonte edhe shuma e përfituar nga shitja e një pylli në Mat. Siç edhe shikohet Mbreti Zog ka marrë me vete pak më shumë se rrogën e një viti.

Kjo sasi monetare është përdorur në masën më të madhe për të paguar rrogat e personave që shoqëruan Mbretin dhe diplomatë si Faik Konica etj. Ky i fundit ka qenë edhe ndër njerëzit më të paguar (më 13 korrik 1942 për shembull ka marrë një mijë dollarë). Si provë për këtë kemi mundur të gjejmë edhe një pjesë të dëftesë pagesave të përdorura atëherë. Në këto deftesë pagesa figurojnë ndër emrat më njohur edhe Mirash Ivanaj, Mehmet Konica, Abaz Kupi, Hiqmet Delvina, Qemal Butka, Peter Kolonja, Nikola Prifti etj,

Për t`u kujtuar është gjithashtu fakti që pushteti i ri i vendosur pas 7 prillit 1939, sekuestroi edhe shumën e 20 mijë frangave ari të Mbretëreshës Geraldinë, shumë e cila ndodhej në Bankën e Shqipërisë dhe që nuk ishte tërhequar nga poseduesja. Dekreti i ministrit sekretar shteti për Drejtësinë doli më 16 shtator 1939 dhe u botua në “Fletorja Zyrtare” më 5 dhjetor 1939, pasi është mbajtur si “sekret” për disa javë.

Këtë version zyrtar dhe shkresor e konfirmon në kujtimet e saj dhe mbretëresha Geraldinë. Duke qenë se në ato ditë të vështira për popullin shqiptar ajo sapo kish sjellë në jetë djalin e saj Lekën, e përshkruan këtë situatë si kaotike dhe shumë të vështirë. Gjendja e saj shëndetësore ishte përkeqësuar. Ajo deklaron se mbreti Zog mori me vete vetëm aq ar me të cilat pagoi ushtrinë shqiptare për 6 muaj. Faktet treguan që në ekzil gjendja e tyre financiare ishte shumë e vështirë dhe për shumë kohë ato jetuan falë mirësisë së mbretërive të ndryshme që i ofruan mikpritjen e tyre.

You might also like More from author